TV Gjirokastra thyen një tjetër rekord: 3 minuta e gjysmë kronikë për të na treguar si e festojnë socialistët Vitin e Ri (VIDEO)

Partia Socialiste në Gjirokastër ka organizuar fundjavën që shkoi një event festiv për fundvitin. Natyrisht që ky nuk është lajm. Ne jemi duke raportuar për diçka tjetër që lidhet me këtë ngjarje. Pikërisht përdorimin e televizionit publik Gjirokastra në mënyrën më të keqe të mundshme. Në edicionin e sotëm kishte një kronikë plot 3 minuta e 30 sekonda për këtë aktivitet festiv partiak, a thua se ishte ngjarja më e madhe në qytet dhe patjetër i interesonte publikut të dinte se si i trokasin gotat socialistët, se si ‘kërcënojnë’ Zamira Ramin për marrjen e bashkisë, se sa të bukura i kanë fustanet zonjat e partisë apo sa bukur e hedhin vallen burrat.

Një kronikë të tillë si ato në kohën e realizmit socialist edhe mund të na i kurseni ne taksapaguesve të TVSH-së. E dimë që historikisht ky televizion është përdorur nga qeveritë, por mos na fyeni inteligjencën dhe as vetëdijen qytetare me propagandë kaq bajate. Të paktën bëjeni më të sofistikuar! E nëse shikon më tej lajmet, koncerti i tenorit Kastriot Tusha, që realisht ishte ngjarje më e rëndësishme për Gjirokastrën, është ‘strukur’ diku nga fundi i edicionit dhe ka vetëm 2 minuta. Megjithatë nga PD-ja tek PS-ja ka një avancim kur vjen puna tek përdorimi politik i TVGJ-së.

Në kohën e Saliut, një kronikë e tillë për festën e PD-së mund të ishte edhe më e gjatë se 3 minuta e gjysmë dhe patjetër që do ishte lajmi hapës i edicionit. Kurse tani në kohën e PS-së, së paku e transmetojnë diku nga mesi. Por në të dyja rastet është shumë e shëmtuar dhe krejt e panevojshme t’i tregosh publikut se si festojnë socialistët e Gjirokastrës Vitin e Ri. Të paktën lëreni me kaq, na i kurseni festat e LSI-së dhe PD-së. Më poshtë video e edicionit të lajmeve, pjesë e së cilës është edhe kronika që të ngjallë krupën.

©argjirolajm.net