U kthye nga emigracioni dhe jeton në Libohovë, njihuni me kandidatin për deputet të Nismës Thurje (VIDEO)
Nisma Thurje do të jetë një nga subjektet e reja që do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kjo lëvizje politike që ka grupuar rreth vetes shumë personazhe të njohur të jetës publike, por edhe njerëz të zakonshëm që aspirojnë për të sjellë ndryshim, si dhe nga ata që kanë qenë pjesë në një formë ose një tjetër e establishmentit të vjetër politik, po punon larg vëmendjes së mediave tradicionale për të piketuruar ata që do t’i prijnë garës së 25 prillit. Do të ketë kandidatë edhe në qarkun Gjirokastër. Një prej tyre është Kristo Begzo.
Ne nuk e njihnim e as kemi më shumë informacion për të sesa ai që do të transmetojmë më poshtë. Por si media e hapur ndaj të gjithë zërave dhe që besojmë se lëvizjet e reja politike janë të shëndetshme për demokracinë e brishtë shqiptare, pavarësisht se shpesh ato nisin si projekte ‘part time’ apo që kompromentohen rrugës, vendosëm të bëjmë një bisedë të shkurtër me Begzon për të mësuar më shumë rreth angazhimit të tij me Nismën Thurje dhe ambicjen për t’u zgjedhur deputet në Gjirokastër.
Përpara se të na thoni përse po kandidoni për deputet, na bëni një prezantim të shkurtër për veten?
Unë kam lindur në Poliçan në Pogonit. Aktualisht banoj në Libohovë ku kam kryer edhe studimet e shkollës fillore dhe të mesme. Studimet i larta i mbarova në Korçë në vitin 1988 për Agronomi. Fillimisht punova në Ndërmarrjen Bujqësore “Muzafer Asqeri” dhe më pas sapo u hapën kufijtë emigrova në Greqi. Aty nisa të merresha me aktivitet privat kryesisht në sektorin e pastiçerisë dhe bukës. Në vitin 2015 u zhvendosa në Francë për 5 vite. Aktualisht jam rikthyer në Libohovë. Nga martesa kam tre djem.
Jetojmë në një kohë kur ka një pjesë të konsiderueshme shqiptarësh që zgjedhin të largohen, të emigrojnë njësoj si përgjatë viteve të tranzicionit. Ju përse vendosët të ktheheshit në Shqipëri dhe aq më tepër në një qytezë të vogël si Libohova?
Besoj se është një moment historik për vendin dhe jam i bindur se ka ardhur koha që gjendja të ndryshojë. Jam kthyer përfundimisht nga emigrimi, me qëllim që të jap kontributin tim me Nismën Thurje. Duhet një ndryshim rrënjësor në Shqipëri, me reforma radikale sidomos në fushën e politikës, shoqërisë dhe ekonomisë.
Duket sikur edhe ju po përdorni po këto fjali standarde që thuhen shpesh: “Dua të jap kontributin tim për vendin”. Kur ndërkohë fare mirë njeriu mund ta japë kontributin për vendin e tij edhe në një formë tjetër, jo detyrimisht në politikë. Ju përse zgjodhët pikërisht politikën?
Kam qenë i angazhuar politikisht që në vitin 1990, por u zhgënjeva shpejt dhe më pas u largova në emigracion. Kam dy vite që i jam bashkuar Nismës Thurje, pasi kuptova se është fryma e duhur, që buron nga populli dhe i përket atij. Janë bërë bashkë njerëz të aftë e të mençur, që propozojnë zgjidhjen e duhur për problemet reale të vendit. Krahas kësaj besoj se kam edukatën politike dhe formimin e nevojshëm që të mund të ndihmoj shoqërinë.
Si vendosët kontakt me Nismën Thurje?
Nëpërmjet faqës në internet dhe disa postimeve në Facebook. Gjithçka më pas erdhi natyrshëm, pa njohur askënd personalisht, thjesht na bashkuan idetë.
Ju jeni i majtë, i djathtë, liberal, konservator. Ku e gjeni veten?
Jam liberal. Në gjuhën e futbollit qendërsulmues me këmbën e djathtë. Besoj se Nisma Thurje do të jetë surpriza më e bukur në jetën politike të vendit. Me rol të rëndësishëm pas 25 prillit. Natyrisht surprizë për të tjerët, jo për ne.
Ju kandidoni në një qark si Gjirokastra që e orienton kryesisht votën majtas. Kujt mendoni se do t’i merrni votat për Nismën Thurje?
Nga të dyja palë anët. Populli është i pakënaqur dhe prandaj besoj se ka ardhur koha për ndryshim.
Supozojmë se më 26 prill pasi të numërohen votat dhe ju arrini të zgjidheni deputet, ju vjen një telefonatë nga Rama ose Basha, të cilët mund të kenë 70 mandate dhe i duhet i yti për të formuar qeverinë. A do t’i bashkoheshit ndonjërit prej tyre?
Jo! Asnjë nga ne. Ata (Rama e Basha) e kanë më kollaj të bëhen bashkë.
Me çfarë të ardhurash do e financoni fushatën elektorale?
Deri më tani për herë të parë në historinë e vendit, turi kombëtar që kemi bërë është financuar nga 260 persona, të cilët kanë depozituar kush nga 10, 30 apo më shumë euro në numrin e llogarisë që kemi publikuar. Por nuk duhen para, më besoni. Duhet vullnet dhe dëshirë. Peshë të madhe në këto zgjedhje, edhe për shkak të pandemisë, do të zënë rrjetet sociale. Dikujt që i pëlqen ‘peshkimi’ i mbulohen shpenzimet. Dikujt që i pëlqen ‘gjuetia’, i mbulon vetë. Edhe ne do i mbulojmë vetë.
Pse njerëzit duhet t’ju votojnë ju më 25 prill, kur e dinë që Nisma Thurje nuk pritet të jetë parti që do të përbëjë shumicën. A keni ju një mesazh për elektoratin dhe përse pretendoni se ju jeni ndryshe nga partitë e tjera?
Ne hymë në garë që të fitojmë, të krijojmë shumicën. Ju nga e dini që nuk do të jemi shumicë? Mesazhi ynë përshkruhet te Karta 2020, platforma jonë, e cila do të zbërthehet hollësisht nga ne gjatë kësaj periudhe. Jemi ndryshe nga të tjerët jo thjesht pse e themi, por ngaqë veprojmë ndryshe. Dhe për këtë keni plot fakte. Shikoni vetëm propozimin e fundit për hapjen e listave. E bëmë çështje kombëtare dhe jo vetëm. U hapën pjesërisht do thoni ju. Po, por nuk kishim më tepër gjë në dorë.
©argjirolajm.net