Ulet ne detyre oficeri qe kordinoi “Lazaratin”
Lëvizje të reja në strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndryshimet kanë përfshirë jo vetëm strukturat e policisë, por edhe vetë institucionin e ministrisë. Ndërkohë, pritet që të ketë edhe ndryshime të tjera në organet e rendit, pas implementimit të strukturës së re të policisë.
LËVIZJET NË POLICI
Burime brenda policisë bëjnë me dije se ndryshimet kanë përfshirë edhe drejtoritë e policive në qarqe. Burime të sigurta bëjnë me dije se është larguar nga pozicioni si shef i Sektorit të Antidrogës dhe Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, Gent Berberi. Të njëjtat burime sqarojnë se ai është transferuar në një tjetër detyrë. Berberi ka pasur një rol kyç në operacionin policor për asgjësimin e lëndës narkotike në Lazarat. Sipas burimeve të sigurta, ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Gjirokastrës ka qenë ai që ka bërë koordinimin e punës dhe grupeve në terren, pasi ai e ka njohur mirë terrenin. Pas përfundimit me sukses të këtij operacioni, drejtuesit e kanë parë të arsyeshme që ta transferojnë në Drejtorinë e Policisë së Shtetit si specialist. Ndërkohë, në vend të tij është emëruar ish shefi i Komisariatit të Tropojës, Naim Osmani. Po kështu, ndryshime ka pasur edhe në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, ku shef komisariati i kësaj policie është emëruar Agim Basha, i cili ka zëvendësuar në këtë detyrë Artur Selimin./GSH