Universitetet, shpallja e fituesve më 16 shtator. Ja procedurat e regjistrimit

Pamje-nga-Universiteti-i-GjirokastresUniversitetet do të shpallin emrat e maturantëve fitues të raundit të parë më datë 16 shtator. Ministria e Arsimit ka publikuar dje udhëzimin, në të cilin sqarohen procedurat që do të ndiqen për fazat pasuese, siç është regjistrimi dhe vazhdimi i garës për ata që duan të fitojnë një degë tjetër. Fituesit në listat paraprake, referuar udhëzimit të MAS, në momentin e  regjistrimit online kanë të drejtë të bëjnë dy zgjedhje, të konfirmojnë dhe të kryejnë regjistrimin përfundimtar ose të vazhdojnë konkurrimin për të fituar një preferencë më lartë, raporton Panorma.
Regjistrimi online
Nga data 17 shtator deri në 22 shtator, maturantët e shpallur fitues në raundin e parë kanë mundësi të kryejnë regjistrimin online dhe këtë mund ta bëjnë nga çdo qendër interneti. Udhëzimi përcakton se për ata të cilët nuk arrijnë të realizojnë vetë procedurën e regjistrimit online, atëherë mund të paraqiten pranë sekretarive mësimore ku janë shpallur fitues, të pajisur vetëm me mjet identifikimi. Sipas Ministrisë së Arsimit, ata të cilët nuk regjistrohen brenda afatit të vendosur, humbasin të drejtën për ndjekjen e studimeve universitare.
“Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara për çfarëdolloj arsye, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve”, thuhet më tej në udhëzimin e MAS.
Lista përfundimtare
Brenda datës 29 shtator, Agjencia Kombëtare e Provimeve shpall listën përfundimtare të kandidatëve fitues, të cilat do të bëhen publike një ditë më vonë. Procedurat e regjistrimit me dokumentacion pranë sekretarive mësimore do të kryhen nga data 1 tetor deri në datën 7 tetor. Në tabelën përbri janë të listuara dokumentet, që nevojiten për këtë proces. Nga Ministria e Arsimit mësohet se kandidatët që regjistrohen pranë sekretarive, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në raundin pasardhës me anë të formularit A3. “Kandidatët që regjistrohen duke paraqitur dokumentacionin pranë sekretarive të Institucioneve të Arsimit të Lartë  publik ku janë shpallur fitues sipas procedurave që përcakton udhëzimi, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në raundin pasardhës”.  Ndërkohë, faza e dytë e konkurrimit pritet të hapet pas përfundimit të sesionit të vjeshtës.

Procedurat e regjistrimit


Regjistrimi online
• Kandidati i shpallur fitues ndjek procedurën e regjistrimit online në programin e studimit që ka fituar, në portalin e Maturës Shtetërore, sipas procedurës së mëposhtme:

• Regjistrimi online kryhet në cilindo kompjuter që ka akses interneti nga data 17 Shtator 2014 deri në orën 24:00 të datës 22 shtator 2014 ose pranë sekretarive mësimore në universitetet ku janë shpallur fitues.

Regjistrimi me dokumentacion
• Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit (i panoterizuar);

• 2 fotografi personale;
• Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare për llogari të IAL-ve përkatëse;

• Deklaratën e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore dhe kundërfirmoset nga kjo e fundit.