Vangjel Tavo i ‘ngelur në vjeshtë’, bën betimin si deputet në seancën e sotme
Kuvendi ka nisur seancën e radhës ku do të votohet qeveria e re. Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama, kryetari Gramoz Ruçi i ka kërkuar Vangjel Tavos të bënte betimin si deputet.
Ky përjashtim për të, bëhej sepse deputeti i LSI-së në Gjirokastër nuk e kishte kryer betimin në seancën e ditës së shtunë siç e kryen deputetët e tjerë.
Ruçi ka lexuar formulën e betimit, ndërsa Tavo ishte ngritur në këmbë.
Deputeti nuk mund të ushtrojë funksionin e tij pa kryer betimin. Tavo u përfol të shtunën si pjesë e grupit të deputetëve të LSI-së që do të votonin pro Gramoz Ruçit si kryetar Kuvendi, por u tërhoq pas presionit të Monika Kryemadhit.
Tavo dhe Ruçi kanë një raport miqësor të afërt mes tyre, që prej kohës kur deputeti nga minoriteti ishte në Partinë Socialiste.
/ArgjiroLajm.net/