Vangjel Tavo propozon: Qendra e bashkisë Dropull të jetë Jorgucati
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, kërkon që në ndarjen e re territoriale qendra e Bashkisë Dropull të bëhet fshati Jorgucat. Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, propozon një ndryshim në ligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Nisma ligjore e depozituar zyrtarisht në Kuvend propozon që në tabelën e Qarkut Gjirokastër, Qendra e Bashkisë Dropull të bëhet fshati Jorgucat. Relacioni shoqërues i këtij drafti, që përmban një nen të vetëm, shpjegon se pas ndarjes së re administrativo-territoriale të sanksionuar nga ky ligj, Bashkia Dropull përbëhet nga njësitë administrative Dropull i Sipërm, Dropull i Poshtëm dhe Pogon, ndërsa qendra e Bashkisë është fshati Sofratikë.
Në cilësinë e deputetit të qarkut të Gjirokastrës, Tavo shjegon se pas takimeve të vazhdueshme me banorët e fshatrave që përbëjnë bashkinë Dropull, ata kanë konstatuar se është më funksionale që qendra e bashkisë Dropull të jetë fshati Jorgucat. Relacioni i projektligjit argumenton më poshtë se dhe në aspektin gjeografik, historik dhe atë të zhvillimit ekonomiko-social të zonës Jorgucati është më i favorizuar për të qenë epiqendra e Bashkisë Dropull.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 31 korrik ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë, që përfshin 61 njësi vendore. Ky ligj u abstenua nga deputeti Vangjel Tavo.