Varrimi i Kacifasit në Bularat, policia e Gjirokastrës në gatishmëri. Agjentë të SHISH zbarkojnë në Kakavijë dhe Dropull
Policia e Shtetit ka krijuar një plan masash për shmangien e incidenteve gjatë ditës së nesërme kur do të zhvillohet ceremonia mortore e ekstremistit grek Kostandinos Kacifas. Mësohet se prej pikës kufitare të Kakavijës do të mbërrijnë shumë autobusë nga Greqia.
Për këtë pala shqiptare ka intensifikaur komunikimin me policinë greke, për të mos lejuar hyrjen e njerëzve me precedentë penalë apo ekstremistëve, të cilit mund të shkaktojnë trazira në Dropull. Mësohet se në terren në Kakavijë e Dropull, do të ketë edhe agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror. Pala shqiptare i druhet incidenteve dhe provokimeve.
Organizata ekstremiste greke dhe nacionalistë të ndryshëm duan që ta shndërrojnë funeralin e Kacifas në një manifestim antishqiptar. Mediat greke raportojnë për rreth 2 mijë vetë që do të mbërrijnë në Bularat për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Kacifas. 35-vjeçari ekstremist u vra më 28 tetor në Bularat pas një shkëmbimi zjarri me forcat speciale RENEA. Ai nuk iu bind urdhërit të policisë për tu dorëzuar, por vazhdoi të qëllonte ndaj tyre.