Vdes Harari, një nga spiunët më të njohur në botë
Një nga spiunët më të njohur në botë, izraeliti Mike Harari, vdiq në moshën 87- vjeçare.
Sipas BBC, ai u bë i njohur sidomos për mbikëqyrjen e një serie oepracionesh për vrasjen e militantëve palestinezë jashtë vendit.
Harari orkestroi një seri misionesh për ekzekutimin e militantëve, të cilët Izraeli i quante përgjegjës për masakrën ndaj ekipit të tyre olimpik në vitin 1972.
Agjenti i Mossad-it luajti një rol kyç në operacionin e komandove për shpëtimin e pengjeve në Entebbe, Uganda, në vitin 1976.
Në vitin 1998, ndaj tij u ngrit padi në Norvegji për vrasjen e një personi gabimisht, pasi kishin ngatërruar identitet.
Vrasja e kamarierit maroken ndodhi në qytetin Lillehammer në vitin 1972. Personat e armatosur të Mossad-it e kishin ngatërruar kamarierin me një nga arkitektët e sulmit në Lojërat Olimpike.
Vrasja ishte pjesë e operacionit “Tërbimi i Perëndisë”, që shënjestroi militantët e grupit “Shtatori i Zi” në mbarë Europën për një vit.
Grupi kishte vrarë dy atletë izraelitë në Fshatin Olimpik në Mynih. Nëntë të tjerë, që ishin marrë po ashtu peng, u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri mes militantëve dhe policisë së Gjermanisë Perëndimore në një pistë fluturimesh.
Grupi po tentonte që t’i nxirrte pengjet jashtë vendit.
Harari lindi në vitin 1927 pranë Tel Avivit dhe shërbeu në organizatat paraushtarake izraelite përpara se të bashkohej me agjencinë e inteligjencës.
Ai dorëzoi dorëheqjen pas vrasjes në Lillehammer, por ajo u refuzua nga kryeministrja e asaj kohe, Golda Meir dhe Harari vazhdoi operacionet klandestine deri sa doli në pension në vitin 1980.