Vëllezërit Aliko, hematoma e dhëmbë të thyer! Avokati: Veprim emocional i policisë
Arrest me burg, i caktoi masën e sigurisë Gjykata e Krimeve të Rënda, dy vëllezërve Arbion dhe Alban Aliko, të dyshuar për akuzën e vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.
Para gjyqtares Flora Hajredini, dy vëllezërit Aliko dolën veçmas nga njëri-tjetri, duke u njohur me akuzat dhe provat e siguruara ndaj tyre.
Mësohet se asnjëri prej vëllezërve Aliko nuk ka dhënë shpjegime për ngjarjen e mëngjesit të 24 qershorit në Lazarat, duke refuzuar t’i përgjigjen pyetjeve të prokurorisë.
Ndërkohë, avokati mbrojtës deklaroi para mediave se prokuroria nuk ka asnjë provë që implikon vëllezërit Aliko në vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha.
Ai tha se një pjesë e deklarimeve të dy të arrestuarve, ku prokuroria e bazon akuzën e ngritur, janë të stisura.
Në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj dy vëllezërve Aliko, ku njëri ka dëmtime të dhëmbëve dhe tjetri hematoma në fytyrë, avokati e cilësoi të kuptueshme dhe një veprim emocional të forcave të policisë në momentin e arrestimit.
Nga ana tjetër, prokuroria në sallën e gjyqit mësohet se i ka paraqitur gjykatës deklarimet e Xhuliano Malos dhe Klodian Selimit, të cilët tregojnë me detaje planin e sulmit ndaj policisë, duke identifikuar edhe organizatorin Arbion Aliko.
Ky i fundit, sipas akuzës, kishte porositur edhe qepjen e disa maskave te një rrobaqepëse në fshat.
Ndërkohë gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg edhe për dy kushërinjët Serxhio dhe Devis Shehu, të cilët kanë ndihmuar dy vëllezërit Aliko gjatë arratisjes.
Ata kanë pranuar se i kanë dërguar ushqime dhe rroba, pasi ishin shok fëmijërie.
Por, për këtë fakt, prokuroria ndaj tyre ka ngritur akuzën e “përkrahjes së autorit” në bashkëpunim.