Vendimi: Miratohen projektet për rijetëzimin e 18 banesave në Gjirokastër (FOTO)
18 banesa në qytetin e Gjirokastrës do t’i nënshtrohen së shpejti procesit të restaurimit! Ky është vendimi i marrë në mbledhjen e fundit të KKR-së, e cila miratoi projektet restauruese të hartuara nga IMK dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës në Gjirokastër në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
Në listën e shtëpive që do të restaurohen janë edhe disa ndër më të përfolurat për gjendjen e tyre të keqe si banesa e Kabilatëve, banesa Çano, Lolomani, Skënduli etj, të cilat do t’i nënshtrohen një restaurimi tërësor sipas projekteve specifike për secilën prej tyre. Nga seria e banesave që do të restaurohen si banesa Kabilatët; Zeko; Lolomani; Batha; Skënduli; Kokobobo; Gurgai ; Ish-Radio dhe banesa Çano, janë pjesë e projektit “Shtëpitë e Shkrimtarëve”, një projekt i cili parashikon ndërhyrje në strukturën e brendshme dhe të jashtme të këtyre banesave të trashëgimisë materiale, për të evidentuar dhe konservuar vlerat historike dhe artistike të tyre, bazuar në modelin e shtëpisë së Kadaresë.
Përveç banesave që janë pjesë e projektit “Shtëpitë e Shkrimtarëve”, KKR miratoi edhe projektet e restaurimit dhe rehabilitimit të fasadave në lagjen Hazmurat dhe Pazari i Vjetër në Gjirokastër për banesat, “Avdi Bozgo”, “Familja Aliko” , “Zapanaja Alimatët”, “Pajtim Ahmeti” , “Hirov Spahiu”, “Vëllazëria Dudumi”, “Kamberi dhe Krongo” , “Familjes Jaupi”, “Familjes e Sevo Caro”. Hartimi i projekteve restauruese për këto shtëpi është një tjetër hap i rëndësishëm i politikave të Ministrisë së kulturës dhe IMK për rijetëzimin tërësor të Gjirokastrës, pas përfundimit të disa projekteve të tjera të mëdha si ai për restaurimin e Qafës së Pazarit.