Verorja, simboli i bukur i Ditës së Verës
Të gjithë i mbajmë mend veroret, fijet e thurura të bardha e të kuqe, që gjyshet dhe mamatë na lidhnin në duar në fillim të muajit mars.Veroret, simboli i pranverës, krahas hijeshisë dhe thjeshtësisë së tyre, përcjellin dhe urimet për shëndet të mirë gjatë të gjithë vitit.Ky rit bazohet në legjenda të trashëguara brez pas brezi. Siç thuhet në to, prejardhja e veroreve është nga Bullgaria. Për bullgarët ngjyrat e para të pranverës janë e bardha dhe e kuqja. Fijet e ndërthurura, të bardha e të kuqe, janë simboli i pranverës, i quajtur verore ose në bullgarisht “martenica”, sipas emrit të muajit të parë të pranverës “mart” (marsi).
Prej kohërave shumë të lashta bullgarët e presin 1 Marsin të stolisur me verore. Dielli i kuq që po agon shkëlqen mbi dëborën e marsit, dhe këtë pamje ata mund ta shohin në veroren bardhë e kuqe.Sipas traditës, veroret punohen nga gruaja më e moshuar e familjes. Ndaj dhe gjyshet me lidhjen e verores bekojnë nipat e tyre të rriten të bardhë e me faqe të kuqe, si edhe zonja e shtëpisë shpejton në mëngjesin e 1 Marsit t’u lidhë verore kafshëve shtëpiake dhe pemëve të kopshtit, që të japin fruta gjatë vitit, madje dikur gratë u kanë lidhur verore dhe sendeve më të rëndësishme shtëpiake.
Ndërkohë ndjenja estetike, fantazia, si dhe besimet popullore, i kanë bërë gratë që t’i shtojnë verores diçka tjetër, një rruazë bojë qielli për të ruajtur vajzat dhe fëmijët nga syri i keq, një monedhë të vogël për pasuri, një thelpi hudhër për të dëbuar forcat e liga, etj. Në këtë mënyrë çdo verore gëzon pamjen e vet origjinale dhe ruan “magjinë” e vet.Fillimisht verorja mbahej si nuskë që të ruante nga forcat e liga dhe të tërhiqte forcat e mira. Por dalëngadalë besimet dhe simbolet e vjetra janë harruar. Në kohën tonë veroret lidhen me urimet për shëndet dhe fat. Së bashku me urimin për një pranverë dhe vit të shëndetshëm, lidhni veroret dhe mbajini në duar deri në momentin që të shihni dallëndyshen e parë, ashtu siç na kanë treguar gjyshet.