Vettingu shkarkon përfundimisht kryetaren e Gjykatës Gjirokastër, nuk justifikoi dot pasurinë
Kolegji i Posaçëm të Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të shkarkuar nga detyra Kryegjyqtaren Albina Spaha, për shkak se nuk justifikonte pasurinë. Shkarkimi i saj nga KPK u bazua te mungesa e burimeve financiare të ligjshme për blerjen e një apartamenti si dhe deklarimi i pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Procesi i vetingut për Albina Spahën u krye nga trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi raportin pozitiv të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke vendosur shkarkimin kryesisht mbi kriterin e pasurisë. Kryegjyqtarja e Gjirokastrës u penalizua edhe nga punësimi i bashkëshortit si ekspert në Gjykatën Administrative, i vlerësuar nga trupa gjykuese në kundërshtim me legjislacionin tatimor.
Albina Spaha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1998, fillimisht si gjyqtare në Tepelenë dhe më pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Ajo u komandua në krye të Gjykatës së Gjirokastrës pas shkarkimit të Guximtar Boçit, i cili u akuzua për një skandal seksual për të cilin gjykata e shpalli të pafajshëm.
Njoftimi i KPA:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.34/2019, datë 18.07.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Albina Spaha, kundër vendimit nr. 139, datë 15.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 139, datë 15.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Albina Spaha.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 12.01.2021.