VIDEO/ Mbërrin në Tiranë makina me të cilën Papa do ‘shëtisë’ Bulevardin
Papa Francesku do të lëvizë në sheshin “Nënë Tereza”me një makinë të bardhë dhe të hapur për të përshëndetur kështu qytetarët shqiptarë dhe besimtarët katolikë që do zgjedhin të ndjekin Meshën e Shenjtë më 21 Shtator.
Makina e Atit të Shenjtë mbërriti rreth orës 08:00 të mëngjesit të kësaj të Premteje në portin e Durrësit. Automjeti u transportua me tragetin “Claudia” të kompanisë Adria, në linjën Bari-Durrës. Nën masa të rrepta sigurie nga Garda e Republikës, të përforcuar me forcat e Policisë Kufitare si dhe me ato të sigurisë Portuale, makina u transportua më tej në ambientet e Presidencës në kryeqytet për të pritur Papa Françeskun.
Do të jetë pikërisht kjo makinë me të cilën Papa Francesku do të përshkojë sheshin “Nënë Tereza”, për të mbajtur Meshën e Shenjtë në orën 11:00 të së Dielës. Ky shesh i është nënshtruar rikonstruksionit për të mirëpritur këtë event të madh.
Ndërkohe nga tragetet që mbërritën në portin e Durrësit, zbarkuan edhe një numër i madh gazetarësh të huaj të shoqëruar nga automjetet e studiove të lëvizshme televizive./A1 Report