VIDEO/ Ministri i Brendshëm vizitë në Dropull: Djemtë dhe vajzat e minoritetit t’i bashkohen Policisë së Shtetit
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar sot një takim me banorë të Dropullit në Gjirokastër. Takimi kishte për qëllim identifikimin e problemeve që kjo zonë ka për çështje që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë. Lleshaj i ftoi të rinjtë dhe të rejat e minoritetit grek në Dropull të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.
Bashkia e Dropullit, e banuar kryesisht nga minoriteti grek, ka në përbërje 41 fshatra. Zona e Dropullit ka një nivel kriminaliteti ndër më të ulëtit në qark.
“Ne duhet që Policinë ta konsiderojmë si Policinë tonë. Dhe ka shumë mënyra për t’u afruar me policinë. Së pari, duhet që vetë Policia ta fitojë besimin e qytetarëve, duhet që ajo ta bëjë hapin e parë. Por, duhet që edhe qytetarët të mundohen të gjejnë tek Policia një partner të tyre. Unë besoj se rruga më e mirë për ta bërë këtë dhe, këtu gjej rastin për ta përsëritur këtë thirrje, është që ne duhet t’i shohim djemtë dhe vajzat e minoritetit grek pjesë të Policisë tonë.
Do të ishte një investim i madh për Policinë e Shtetit tonë, por dhe për miqësinë tonë, edhe për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve, që pjesëtarë të minoritetit etnik grek të bëhen pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit tonë”, nënvizoi ministri Lleshaj në fjalën e tij.
“Për mua është hera e parë që vizitoj një bashki. Si Ministër i Brendshëm nuk kam shkuar në ndonjë Bashki dhe nuk besoj se do kem shumë mundësi të tilla. Por kam ardhur këtu për arsye se vërtetë besoj që duhet të kemi vëmendje të lartë për minoritetin. Është një pjesë e Shqipërisë vërtet e bukur këtu”, shtoi Ministri.