Vijon gjuetia e paligjshme në Zagori, kërcënime ndaj banorëve që të mbyllin gojën (VIDEO)
Gjuetia e paligjshme po shfaros një pjesë të faunës në Parkun Natyror të Zagorisë. Banorët e zonës raportojnë për të shtëna të përditshme në të gjithë krahinën. Me një sipërfaqe prej 24.600 hektarë, të ndarë në dy zona me prioritet të diferencuar, statusi i Parkut Natyror iu dha Zagorisë 6 muaj më parë, për të garantuar mbrojtjen e pasurisë së florës dhe faunës së zonës dhe orientimin e krahinës drejt ekoturizmit.
Agjencia e Zonave të Mbrojtura e konfirmon praninë e gjuetarëve të pagjishëm, ndërsa inkurajon banorët të denoncojnë, sidomos gjuetinë gjatë natës. Specia më e goditur për periudhën mbetet derri i egër, por banorët flasin edhe për gjuetinë e kaprollit, thëllëzës dhe lepurit.
Drejtuesi i agjencisë, Gligor Dushi thotë se zona po patrullohet përveçse nga rojtarët, edhe prej Policisë së Rendit, por moratoriumi nuk po respektohet.
Prania e madhe e armëve të gjuetisë me leje në të gjithë territorin e qarkut është duke e sfiduar moratoriumin e gjuetisë. AZM mundet vetëm të padisë gjuetarë, që kapen në kushtet e flagrancës me gjah të vrarë, ndërsa qarkullimi me armë gjahu në këtë territor nuk është akt i kundërligjshëm.
Tashmë shpresohet që përmes kamerave “kurth” që po instalohen në shumë pika të parkut, të gjurmohen përveç faunës së egër, edhe gjuetarët e paligjshëm.
Shoqata “Zagoria” iu është drejtuar autoriteteve disa herë gjatë javëve të fundit, që të marrin masa për të shpëtuar faunën e rrallë të zonës nga një sulm periodik. Banorët flasin edhe për kërcënime që po vijnë nga grupet dominuese të gjahtarëve për të heshtur mbi situatën./Tch