Vizita në Dropull, Berisha merr në mbrojtje ekstremistin Katsifas: Sot ai mund të ishte në gjirin e familjes, por e ekzekutoi Edi Rama
October 10, 2022
Në një deklaratë pas vizitës së tij në Dropull, ish-kryeministri Sali Berisha, i ka dalë në mbrojtje ekstremistit Kostandinos Katsifas, të ekzekutuar nga forcat speciale RENEA pasi hapi zjarr ndaj tyre dhe nuk pranoi të dorëzohej.
“Unë ju thashë bashkëbiseduesve të mi në minoritet. Edi Rama mund të vijë këtu dhe të thotë disa fjalë greqisht, por ai është një hipokrit, ai është një armik i lirive të tyre. Ai e faktoi këtë me ekzekutimin ekzemplar të një njeriu, i cili sot mund të ishte gjallë në gjirin e familjes së tij”, ka deklaruar sot Berisha.
Me sa duket Sali Berisha është aq i dëshpëruar politikisht sa për një grusht votash në minoritet, del dhe bën avokati të ekstremistit Kostandinos Katsifas, i cili nuk u ekzekutua nga policia shqiptare si minoritar grek, por thjesht si një terrorist që rrezikoi me armë banorët e fshatit dhe vetë forcat speciale.