Vrasësi i Gëzim Saraçit del para gjykatës, i caktohet masa “arrest me burg”
Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur ditën e sotme masën arrest me burg për Mihal Thimjon, autori i vrasjes së Gezim Saraçit, me të cilin kishin një raport miqësor. Ngjarja ka ndodhur më 5 gusht ku Mihal Thimjo ka goditur me sende të forta Gezim Saraçin duke e lënë të vdekur në kamionçinë dhe më pas është larguar.
Seanca e ka zgjatur 20 minuta dhe fillimisht prokurori Julijan Çafka ka lexuar argumentet dhe kërkoi burg pa afat për 33-vjeçarin. Ndërsa avokati i të pandehurit, Piro Boboli kërkoi një masë më të lehtë dhe rrethana lehtësuese pasi klienti e ka pranuar krimin dhe njëkohësisht ka reaguar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe nën efektet e çekuilibrimit mendor. Ky arsyetim nuk ka bindur gjykatësin Pëllumb Vehbiun, i cili la në fuqi masën arrest me burg, për Mihal Thimjon.
33-vjeçari Mihal Thimjo nga Derviçani, muzikant në dasma, u arrestua pak orë pas ngjarjes teksa po udhëtonte me automjetin e tij. Shkak i kësaj vrasje ka qenë një sherr i çastit mes që ka përfunduar në mënyrë tragjike, ku mësohet se Thimjo e ka goditur viktimën me sende të forta dhe më pas e la të vdekur në vend në kamionçinën e tij në aksin rrugor rural Polican-Suhë.
Si ndodhi ngjarja? Autori ka rrëfyer se sherri ka nisur verbal, kur Thimjo i ka thënë se “ne nga Dervicani jemi të zotët për të fituar lekë me djersë dhe nuk kemi vjedhur si ju”. Në këtë moment viktima ka ndaluar mjetin dhe ka qëlluar muzikantin me një mjet metalik. Sipas autorit, viktima Gëzim Saraçi u egërsua duke e sulmuar vazhdimisht dhe Thimjo deklaron se më pas edhe ai ka marrë një shufër hekur dhe e ka qëlluar 2 herë në kokë në kamionçinën e tij në aksin rrugor Polican – Suhë duke e quajtur këtë një reagim në kushtet e vetëmbrojtjes.
Po sipas dëshmisë së autorit, viktima e kishte tepruar me pijen në restorant, por nuk ishte i dehur. Ai e ka pranuar krimin duke thënë se e bëri për vetëmbrojtje pasi ai e preku në sedër duke i thënë ‘grek’. 33-vjeçari pas vrasjes ka shkuar në banesë, ka ndërruar rrobat me të cilin ka kryer krimin, ka marrë makinën dhe është nisur për rrugë, në destinacion që nuk dihet. Në ato momente është ndaluar nga policia, ku më pas është arrestuar me akuzën për veprën penale “Vrasja me dashje”.