Zbardhet skema e vrasjes së Lazaratit
Në sulmin ndaj RENEA-s në Lazarat u përfshinë 11 të rinj, sipas dosjes së prokurorisë për Krime të Rënda. Nën drejtimin e Arbion Alikos, të 11 ishin të armatosur dhe kishin si synim të luftonin me policinë deri në largimin e tyre nga fshati. Sipas rrëfimeve të 2 prej tyre, hetuesit kanë arritur të zbardhin edhe skemën që përdori grupi për të sulmuar Renea-n mëngjesin e 24 qershorit. 2 prej të rinjve nga Lazarati thanë se natën e së martësë të rinjtë ishin ndarë në 3 grupe. Ata që do të qëllonin për të vrarë ishin gjithsej 5 veta. Nën drejtimin e Arbion Alikos, ai që prokurorët e quajnë “grupi i zjarrit” përbëhej nga vëllai tjetër Alban Aliko, nga Elvis Boci, Elison Kazma dhe Bajram Boci, person që është ende në kërkim nga policia, informon Abc News.
Të pestë ishin vendosur në pozicione pranë vendit ku u vra Ibrahim Basha. Pikërisht për këtë arsye kishin prishur edhe murin në anë të rrugës, duke qenë se kishin llogaritur shpërqendrimin e forcave speciale nga dy grupet e tjera të armatosura. Të ndarë në 3 veta secili, dy grupet e tjera përbëheshin nga Oltion Prroku, Xhuliano Malo, Klodian Selimi, Dervish Gaba, Anri Hiri (në kërkim) dhe Bergent Basha. Këto ishin vendosur më lart në fshat, në pjesën që konsiderohet si Pularia dhe të dy qëllonin në vazhdimësi në ajër, për të marrë të gjithë vëmendjen e forcave të policisë. Në momentin kur u ndalua Xhuliano Malo dhe makina tip Volksvagen, efektivi i Renea-s u afrua për ta shoqëruar, atëherë grupimi i Arbion Alikos nisi breshëritë e zjarrit.
Nën këtë breshëri u qëllua për vdekje edhe Ibrahim Basha. Në dosjen e prokurorisë, sipas rrëfimeve të dy prej të arrestuarve thuhet se në momentin e vrasjes së efektivit të RENEA-s, nga grupi i zjarrit nuk qëlluan të gjithë. Vetëm tre prej tyre qëlluan me armë sipas akuzës, Alban Aliko me një “kallashnikov” dhe Arbjon Aliko e Bajram Boci me dy armë të tjera, të modifikuara si snajper. Mbetet ende e paqartë sipas akuzës, se nga cila armë u vra efektivi i RENEA-s. Ende nuk eshte gjetur arma qe mbante Arbion Aliko, por dyshimet e prokurorise jane se plumbi qe vrau Ibrahim Bashen u qëllua nga arma e Arbion Alikos apo Bajram Bocit. Dy vëllezërit Aliko, gjatë marrjes në pyetje nuk kanë pranuar akuzën duke mohuar se janë ata personat që kanë qëlluar. Nga ana tjetër, ekspertët e policisë shkencore kanë identifikuar se dy plumba kanë qëlluar furgonin e policisë, ku ndodheshin efektivët e RENEA-s. Të dy këto plumba kanë lënë shenjë në kokën e sediljes së parë të furgonit, ku edhe ndodhej efektivi Basha.
Nga ana tjetër, Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të prokurorisë, i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” dy të dyshuarve të tjerë të grupit që sulmuan policin në Lazarat. Oltion Prroka dhe 16 vjeçari me Elison Kazma mbetën në qeli deri në përfundim të hetimeve, pavarësisht se avokatët kërkuan lirimin e tyre për shkak të moshës së mitur. /ABC News/