Zagori, Kisha e Shën Pjetrit dhe Pavllos ka nevojë për restaurim
Kisha e Shën Pjetrit dhe Pavllos me afreske të pikturuara rreth vitit 1843 po rrënohet në Hoshtevë të Gjirokastrës.
Sipas banorëve lagështia po shkatërron afresket ndërsa muri perëndimor rrezikon çarjen e strukturës.
“Dëmet janë të konsiderueshme nga shirat e rëna kohet e fundit, sidomos nga çatia pikon. Ka lëvizje të pikturave. Boja po bije nga lagështira. Duhet ndërhyrje urgjente, për të mos pësuar edhe kisha fatin e urës”, shprehet një banor. Sot në fshat jetojnë jo më shumë se 40 banorë të gjithë të moshuar që nuk janë në gjendje të restaurojnë kishën e Apostujve. Në këtë objekt gjenden ende pjesë nga ikonostasi i gdhendur në dru të zbukuruar me simbole biblike, ndërsa mes afreskeve të pikturuara dallon ai I Shën Jorgjit të Ri, një pikturë murale që paraqet shenjtorin me kostum tradicional të zonës, fustanellë dhe kapele otomane.
Por dëmtimet janë më të mëdha në vendin e shërbesës, platenë kryesore , apo te faltorja. Ministrja e Kulturës gjatë fundjavës nga Gjirokastra tha se kisha e Hoshtevës dhe ajo e Peshkëpisë në Dropull do të restaurohen brenda vitit 2018. Por në fillim të shkurtit ura e Hoshtevës, monument kulture i kategorisë së parë u shemb gjate reshjeve, pasi nuk arriti kurrë të restaurohej pavarësisht alarmit të banorëve për gjendjen e saj kritike.