Zbardhet axhenda e vizitës së Edi Ramës në Gjirokastër
Kryeministri Edi Rama nis sot një vizitë dy ditore në qarkun Gjirokastër. Ky tur takimesh i parashikuar javë më parë vjen në një kohë të trazuar politike, pas vendimit radikal të opozitës për të djegur mandatet. Disa prej takimeve dhe eventeve në axhendën e kryeministrit në Gjirokastër janë këto:
Fillimisht ai do të kryejë një inspektim në punimet e rrugës Kardhiq-Delvinë. Më pas zhvillon takimin me studentët e Universitetit ‘Eqrem Cabej’, ku do të flasë mbi ‘Paktin për Universitetin’. Ndalesa e radhës është në Lunxhëri për inagurimin e një qendre të re shëndetësore.
Eventi më i madh, ‘Bashkia që Duam’ do të mbahet në Pallatin e Sportit të Gjirokastrës në orën 16:00. Më pas është parashikuar një intervistë për mediat lokale dhe në mbrëmje një takim me operatorët turistikë të qarkut. Dita mbyllet me një darkë ku do të jenë të pranishëm krerët e bashkive të qarkut, me të cilët Rama pritet të diskutojë edhe përgatitjet për fushatën elektorale të qershorit 2019. Gjatë ditës së shtunë kryeministri do të shohë nga afër punimet për rikonstruksionin e kalldrëmeve në zonën historike, si dhe do të kryejë vizita në bizneset e pazarit.
Ndalesa tjetër është vizita në një kompani të përpunimet të produkteve blegtorale. Më pas axhenda e takimeve zhvendoset në Përmet, ku do të zhvillohet gjithashtu një takim i ngjashëm në formatin ‘Bashkia që Duam’. Po kështu do të shohë nga afër edhe investimin për ujësjellësin e ri të Përmetit, investim ky me fonde të qeverisë. Rama shoqërohet gjatë kësaj vizite nga disa ministra, deputetët e qarkut dhe zyrtarë të tjerë lokalë. Jashtë axhendës është lënë kryebashkiakja Zamira Rami./argjirolajm.net