Zbardhet grabitja e çiftit në Tepelenë, shpallen në kërkim tre persona

IMG_5553Policia ka shpallur në kërkim tre persona, të cilët dyshohet se janë autorët e një grabitje me dhunë në Tepelenë.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e datës 31 mars, kur shtetasi Naim Çiça 61 vjeç është kërcënuar me armë nga tre persona të maskuar, të cilët kanë arritur t’i vjedhin shumën prej 5000 eurosh.

Tre personat e shpallur në kërkim, në bashkëpunim me njëri -tjetrin dyshohet se duke përdorur armët dhe dhunë fizike kanë arritur të vjedhin shumën e parave dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur, ku në afërsi të banesës kanë braktisur automjetin pasi kanë parë patrullën që po vinte për në vendngjarje dhe janë larguar me vrap duke përfituar nga errësira.

I dëmtuari dhe bashkëshortja e tij shtetasja A.Ç, 60 vjeç, banuese në Tepelenë, ndodhen në spitalin e Gjirokastrës me dëmtime trupore, jashtë rrezikut për jetën.

Në njoftimin e saj policia sqaron se:

Më datë 31.03.2015 rreth orës 00:40 është njoftuar salla operative e Komisariatit të Policisë Tepelenë se në lagjen “Demokracia” të qytetit të Tepelenës, në banesën e shtetasit Naim Çiça, 61 vjeç, banues në Tepelenë, tre persona të maskuar dhe të armatosur nën kërcënimin dhe përdorimin e armëve të zjarrit, kanë vjedhur një shumë prej 5.000 euro dhe më pas janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kanë braktisur disa metra largë banesës automjetin e tyre të markës Audi A3, me targa CD 368 PT.

Menjëherë pas marrjes së telefonatës, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Tepelenë, si dhe është formuar grupi hetimor dhe nga veprimet e para hetimore dhe procedurale të kryera në vendin e ngjarjes nga Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Specialistët e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë , u bë e mundur zbardhja e ngjarjes , ku u identifikuan dhe u shpallën në kërkim si autorë të dyshuar shtetasit:

• S. J., 30 vjeç, banues në Durrës.
• A. J., 37 vjeç, banues në Durrës.
• R. R., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar, automjeti i markës Audi me targa CD 368 PT, një automatik model 56 me qytë të prerë, dy krehëra me 30 fishekë të kalibrit 7.62mm, një krehër pistoletë me 10 fishekë të kalibrit 9 mm, një gëzhojë e plasur e kalibrit 7.65mm, një telefon celular, dy karta sim, dokumenta identifikimi si dhe sende të tjera personale të autorëve, sende të gjetura brenda në automjet.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për veprën penale të “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 140 e 25 i Kodit Penal./j.h

IMG_5544

 

IMG_5552

IMG_5550

IMG_5554