Zbardhet ngjarja, ja pse u rrahën nga pronari lokalit dy elektriçistët nga Gjirokastra
Dy elektricistë të OSHEE Gjirokastër janë dhunuar barbarisht nga pronarët e një lokali në Ksamil. Ngjarja e ndodhur dy ditë më parë ka pasur pasoja të rënda për punonjësit e OSHEE, Qani Sulejmani dhe Elton Proko të cilët janë goditur dhunshëm me shkop bejsbolli.
Sipas burimeve të OSHEE subjekti në Ksamil që ishte objekt kontrolli nga kjo kompani, kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike duke u furnizuar nëpërmjet të tretëve dhe jo nëpërmjet linjave të kompanisë OSHEE. Shkelja e ligjit ka shkuar më tej pasi pronarët e lokalit kanë shtrirë kabllon e energjisë nga toka në ishull, duke e kaluar nëpër det, një praktikë totalisht e rrezikshme për jetët e njerëzve, sidomos në kushtet kur shtrirja e linjës bëhet e pakontrolluar dhe pa dijeninë e operatorit të energjisë.
Pas konstatimit të këtyre shkeljeve, pronarët e subjektit kanë reaguar dhunshëm duke sulmuar dhe goditur rëndë punonjësit e OSHEE.
Punonjësit pohojnë se ende nuk ka një reagim institucional ndaj kësaj ngjarjeje. Vetë inspektorët dhe OSHEE kanë bërë denoncimin në polici të dhunuesve, ndërsa policia deri më tani nuk ka bërë asnjë reagim.