Zgjedhjet lokale, Flamur Golemi drejt garës për Bashkinë Gjirokastër
Kur duhen dhe dy javë nga afati zyrtar për publikimin e emrave të kandidatëve për kryetar bashkie, media ka mësuar disa prej emrave të kandidatëve që ka projektuar PS-ja. Një pjesë e mirë e tyre, janë aktualisht kryetar bashkie dhe garojnë për një mandat të dytë; si Erion Veliaj në Tiranë, Dritan Leli në Vlorë, Armando Subashi në Fier apo Sotiraq Filo në Korçë. Pikëpyetje për Edi Ramën mbeten dy bashki të mëdha si Durrësi dhe Shkodra. Sipas gazetës “Panorama”, në Lezhë pritet të garojë në siglën e PS, deputeti Pjerin Ndreu; Flamur Golemi në Gjirokastër; Ilir Xhakolli në Pogradec; deputeti Rakip Suli në Kamëz; Nuri Belba për Bashkinë Përrenjas. Emri i përfolur për Bashkinë e Beratit është Ervin Demo, ish-zv.ministri i Arsimit që dha dorëheqjen, pasi u akuzua për plagjiaturë.
Qazim Sejdini u tërhoq nga gara për Bashkinë e Elbasanit që e drejtoi për 3 mandate, ndërsa Kryeministri emëroi Prefekt Gledian Llatjen. Ai ka nisur nga puna në terren si kandidati socialist për këtë bashki.
Safet Gjici mësohet se do të jetë kandidati i Partisë Socialiste në Bashkinë e Kukësit.
Një shqetësim mbeten për Partinë Socialiste dy bashkitë e mëdha të vendit, siç është ajo e Durrësit dhe e Shkodrës. Burime thanë se ende nuk është përcaktuar emri i atij që do të zëvendësojë Vangjush Dakon, i cili e drejtoi këtë bashki për tri mandate. Edhe pse u projektua si një kandidate potenciale për të garuar për Bashkinë e Shkodrës Senida Mesi, ish-zëvendëskryeministrja e qeverisë “Rama 2”, duket se nuk ka kaluar pozitivisht sondazhet e bëra në këtë bashki nga PS-ja.
Po kështu ende nuk është vendosur kandidati për Sarandën. Pretendentë mbeten deputeti i PS-së, Alket Hyseni, dhe nënprefekti i Vlorës, Adrian Gurma. Mësohet se PS-ja brenda kësaj jave do të kryejë sondazhet e fundit dhe do të vendosë për kandidatin e saj.
Në Bashkinë e Delvinës, PS-ja do të kandidojë Filip Xuxin, i cili aktualisht është drejtori i Postës shqiptare në Sarandë.
Gjithashtu, rikonfirmohen për një tjetër mandat: Kastriot Gurra në Librazhd, Termet Peçi në Tepelenë, Fatos Tushe në Lushnje, Ndrec Dedaj në Mirditë, Fredi Kokoneshi në Divjakë dhe Arif Tafani në Belsh.
Këto janë emrat që mësohen deri tani, ndërsa në ditët në vijim lista e PS do pasurohet apo përditësohet me kandidatë të tjerë.