Zgjedhjet lokale, kujt do ia besojë PD-ja shtabin zgjedhor të Gjirokastrës?
Strategjia organizative që po bëjnë drejtuesit demokratë do të fillojë me lënien “jashtë loje” të shumë ish-ministrave, të cilët pritet të mos kenë rol kryesor në qarqet ku, në zgjedhjet e fundit, kanë drejtuar shtabet elektorale. Tejzgjatja e bojkotit nga opozita ka lënë pasoja në riorganizimin e strukturave të partive për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në 21 qershor.
Për të kapur kohën e humbur dhe për të vënë në krye të fushatës persona me autoritetin dhe përgjegjësinë e duhur, PD-ja ka nisur të ndërtojë strategjinë me të cilën mendon të ruajë bastionet e saj, të cilat i rrezikohen dhe po ashtu të fitojë disa prej bashkive kryesore, duke ua besuar shtabet elektorale emrave të rinj dhe duke larguar ish-ministrat me të cilët Sali Berisha qeverisi dy mandate.
Struktura drejtuese organizative në fushatën e zgjedhjeve do të pësojnë ndryshime edhe në Gjirokastër, shkruan Shekulli.Mënjanimi i deputetit Genc Ruli nga të gjitha strukturat e PD-së është sinjal i qartë që e djathta do të kërkojë të zgjedhë në krye të shtabit zgjedhor një emër tjetër për qytetin e gurtë, ose t’i besojë të sapozgjedhurit të degës së Gjirokastrës Roland Bejkos.