Zgjedhjet, Mandi zhvillon takime në Nepravishtë [FOTO]
Kandidatja e majtë për Bashkinë Libohovë, Luiza Mandi, vijon takimet elektorale në zonat rreth Libohovës. Së fundmi ka qenë në fshatin Nepravishtë, ku u takua derë më derë me banorë të këtij fshati. Mandi dëgjoi nga afër problematikat kryesore të banorëve dhe kërkoi mbështetjen e tyre me votë, në mënyrë që pas 21 qershorit këto problematika të marrin rrugën e zgjidhjes. Ajo premtoi më shumë investime për këtë fshat, kryesisht në infrastrukturë dhe zhvillimin e bujqësisë.
“Ndarja e re territoriale është një mundësi shumë e mirë për bashkinë tonë të re. Miliona lekë që deri dje shpenzoheshin për rroga këshilltarësh apo nëpunësish që rrinin kot nëpër zyrat e komunave, pas 21 qershorit do të jenë në dispozicion për t’u investuar. Unë si kryetare e ardhshme e bashkisë do të kem në vëmendje infrastrukturën dhe bujqësinë”- u ka thënë Mandi banorëve.
Luiza Mandi që prej zyrtarizimit të kandidaturës së saj, ka nisur një tur takimesh me banorë të Libohovës dhe zonave përreth, për t’u njohur fillimisht me problematikën e qytetarëve dhe më pas për t’u rikthyer sërish me angazhime më konkrete.