Zhgënjimi i madh televiziv i këtij viti
Është bukur që disa orë në fundvit të shijosh atë festën brenda festës të qëndrimit në divan duke bërë zapping para TV, megjithëse tanimë të përzier rëndshëm me FB e Instagram. Pulti mbahet në duar shumë më pak se celulari dhe rrjetet sociale janë çdo ditë pjesë e pashmangshme e jetës sonë. Televizioni duket sikur futet në jetët tona rrallë e më rrallë dhe po bëhet gati për atë shprehjen “me raste festash”.
Por mbrëmja e 31 Dhjetorit ishte moment mëse i përshtatshëm për të parë se çfarë do ofrohej ndryshe nga mrekullia 100-vjeçare, pra çfarë kishin servirur këtë vit televizionet e mëdha duke braktisur disi kartolinat virtuale. Aq më tepër që të jesh shikues dhe të dëgjosh e ndjekësh diçka mjaftueshëm i përqëndruar në këto kohë duket pothuaj lluks që ta krijon vetëm pushimi i zgjatur i festave.
Po ja, ç’të shihje? Humor me okë por që vetëm për të qeshur nuk bënte. Të gjitha stacionet pa asnjë përjashtim kishin sjellë për shqiptarët një përsëritje te batutave që konsumohen më herët në rrjetet sociale dhe në disa vende në vend të shtimit të humorit këtij të fundit i kishin shtuar banalitet me shumicë. Të vjen turp e detyrohesh të gjesh pultin e të ndërrosh kanal për të mos thënë që të shpëton ndonjë psherëtime e tipit: Të keqen e Cekes së Beratit njëherë e njëkohë!
Tv Klan sillej rreth vetes; humori dhe aktorët e zhvendosur në studion e Opinion dështuan duke na provuar se Fevziu mbetet aktori më i mirë i asaj studioje. TCH dhe Vizion Plus prodhonin humor për t’u transmetuar me piiiiiippp. Këngëtarët e ftuar në ndonjë spektakël maratonë ishin një dejavu e lokaleve të natës në Tiranë. Humoristët në të gjitha ekranet dukeshin sikur u flisnin rivalëve dhe jo shqiptarëve, ndërsa televizionet 24 orë-lajmse kishin nxjerrë nga fundi i dheut “intervista ekskluzive” me njerëz që kanë peshë në politikë aq sa mund të ketë gjyshi im që ka 10 vjet që ka vdekur.
Asgjë për t’u parë e për t’u frymëzuar. Jo se frymëzimin e presim nga kaq larg por media është një fuqi e padiskutueshme në stimulimin e shoqërisë. Më shumë sesa krizë e televizionit kjo është një krizë e njerëzve të televizioneve. Të varfër në ide, duket qartë që kanë nevojë të qërojnë lëkurën që ju ka zënë dhjam. Për të mos bërë nihilisten edhe një prodhim i dështuar kërkon djersë dhe për këtë meritojnë keqardhje ata që më kot u dërrmuan në regjistrime me orë e ditë me shpresën se natën e ndërrimit të viteve do të ishin të preferuarit e shqiptarëve.
Dua të nënvizoj se për mua Televizioni është mallëngjyes dhe personalisht dua shumë që t’i mbijetojë lukunisë së rrjeteve sociale, duke (ri)krijuar prestigj e programacion të drejtuar nga njerëz të talentuar. Për hir të vërtetës rrjetet sociale po kanë shumë më tepër joshje. Përballë kësaj, – nuk e di se çfarë thonë kampionët e audiencës – por mbrëmja televizive e fundvitit ishte groteske. Kushdo që ka zgjedhur një film, skype, whattsap, viber, apo variantin më origjinal e të gëzueshëm, një bisedë me të dashurit e zemrës, ia ka kaluar shumë më mirë se përpara ekranit.
Pyesni veten cila ishte batuta më e bukur që dëgjuat? A kishte një program që ju bëri të qeshni (jo ato qeshjet nga zori) apo të përloteni nga emocionet? Ishte vetëm një dhe erdhi nga Vjena. Drithërima që nuk erdhën nga harqet , flautet, dhe violinat vjeneze të cilat i kemi dëgjuar edhe në kohë izolimesh, por pjesa dërrmuese pak e shijon. Na emocionuan prej matanë, shqiptarët tanë të talentuar të cilët larg skenës shqiptare ia dalin t’i shpëtojnë mediokritetit.
Ah, po… Në këtë fundvit pati edhe një risi. Dikush që me një lëvizje të vogël, ia doli të befasojë një popull të tërë. Erdhi nga brisku i presidentit Nishani i cili siç më thotë një mike, ishte i vetmi mallëngjim estetik i kësaj feste.
Sa për mendjet e mëdha të televizioneve, është e qartë ju duhet urgjentisht shumë më tepër se një brisk./Dita