Zjarret shkrumbojnë 25 ha tokë në Gjirokastër
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pjesën përfund fshatit Mashkullorë Gjirokastër 5 km në veri të qytetit.
Në zonen e cila ka nisur të banohet vitet e fundit ndodhen ish-depot e Repartit Ushtarak, ndërsa terreni i vëshitë ka bërë që flakët të përhapen, duke përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre mbi 25 ha.
Prej orës 12:00 deri në orën 17:00 të ditës së djeshme, efektivët e repartit të PMZSH-së kanë ndërhyrë me mjete rrethanore, të ndihmuar edhe nga forca të Policisë së Gjirokastrës dhe banorë të fshatit, pasi mjetet zjarrëfikëse nuk kanë mundur të hyjnë si pasojë e terrenit të thepisur.
Rreziku më i madh i këtij zjarri qëndron në faktin që dikur kjo zonë ka qenë depo me armatime luftarake të Ushtrisë shqiptare.
Madje në dy tre raste, ka patur disa shpërthime të detonatorëve përgjatë operacionit për lokalizimin e zjarreve nga ana e zjarrëfikësve. Ndërkohë të rrezikuara ndodheshin edhe dy banesa fare pranë, sipërfaqe me frutikulturë dhe koshere me bletë.
Kjo vatër zjarri mendohet se është shkaktuar për ripërtëritjen e sipërfaqeve në kullotë. Vetëm gjatë ditëve të fundit në rrethin e Gjirokastrës janë shënuar 7 vatra zjarri të lokalizuara nga forcat zjarrfikëse.
Një tjetër vatër është shënuar po gjatë ditës së djeshme në afërsi të fshatit Labovë e Zhapës dhe Hundëkuq në verilindje të Gjirokastrës. Ndërkohë, dëmi sipas biologëve është i konisderueshëm edhe për shpendët dhe kafshët, shkruan e perditshmja Koha Jone.