Zyrtare, në 1 Janar 2015 zgjatet mosha e daljes në pension
Përfituesit e pensionit social do të jenë personat mbi 70 vjeç, që arrijnë të faktojnë se nuk kanë asnjë të ardhur tjetër, koncept i ri i futur në ligjin e ri që është zyrtarizuar dhe do të nisë aplikimin e tij në janar të vitit 2015. Referuar neneve të botuara tashmë në Fletoren Zyrtare, që një person të përfitojë pension social, duhet të plotësojë tre kritere; të jenë rezident në Shqipëri e që kanë qenë të tillë për 5 vitet e fundit para daljes në pension, të kenë mbushur moshën 70 vjeç dhe të mos kenë të ardhura të tjera. Përfituesit e mundshëm të pensionit social pritet të jenë individët e kthyer nga emigracioni, që nuk kanë arritur të plotësojnë vitet e nevojshme për të përfituar nga skema e pensioneve apo persona që figurojnë si të vetëpunësuar në bujqësi, por që për arsye të ndryshme nuk kanë paguar kontributete e nevojshme për të plotësuar vitet e punës që duhen për të përfituar pension. Pensioni social është një koncept i ri, që synon të përfshijë në skemë personat që rezikojnë që të mbeten pa përfitime për shkak të mosplotësimit të kritereve. E në fakt, numri paraprak i personave përfitues vlerësohet të jetë rreth 5 mijë, ku mund të përfshihen në skemë edhe personat që aktualisht trajtohen me ndihmë ekonomike. Ky pension është parashikuar të jetë i ngjashëm me ndihmën ekonomike, pra nuk do të jetë një pension i barabartë me të tjerët por do të jetë në një niveli të tillë, sa për të mundësuar nevojat bazike të jetësës. Ligji i ri për sigurimet shoqërore është një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra deri tani nga qeveria aktuale.
Si llogariten kontributet?
Sipas ndryshimeve, “Kontributi llogaritet dhe paguhet mbi pagën bruto, brenda kufijve të pagës minimale në shkallë vendi dhe pagës maksimale për efekt kontributi për sigurimet shoqërore, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e cila është në fuqi në datën 31.12.2014. Pas datës 1.1.2015, paga maksimale për efekt kontributi indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale në shkallë vendi. Kontributi minimal për personin e punësuar, punëdhënësin dhe të vetëpunësuarin është i barabartë dhe llogaritet mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi. Personat e vetëpunësuar në bujqësi paguajnë kontribut për pension dhe barrëlindje të llogaritur mbi pagën minimale në shkallë vendi. Pagesa e kontributit bëhet çdo tremujor”.
Si do të llogariten pensionet?
Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 1.1.1994. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2015 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese, sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 1.1.1994, si edhe mbi pagat individuale, mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1.1.1994 deri në 31.12.2014, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2014 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Po kështu sipas ligjit të ri, baza e vlerësuar neto për llogaritjen e pagesave për sëmundje e barrëlindje dhe për të ardhura të tjera afatshkurtra do të jenë pagat mbi të cilat janë paguar kontributet pasi zbritet tatimi mbi të ardhurat personale, norma e kontributit të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe suplementare që mbahet nga paga e punonjësit, sipas dispozitave në fuqi për periudhën përkatëse. Çdo vit, pas 1.1.2015, duke filluar nga data 1 janar, baza e vlerësuar vjetore individuale indeksohet me koeficientin, që llogaritet si raport i kontributit mesatar të personave të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Ky koeficient caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Pensionet e invaliditetit nuk do të llogariten me një bazë të vlerësuar më të ulët se ajo e paguar më parë. Sapo të jetë përfituar një pension invaliditeti, shuma e pensionit do të merret si kufi minimal, kur llogaritet çdo pension tjetër sipas ligjit të sigurimeve shoqërore”.
Pension pleqërie
Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92, të këtij ligji. Nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.
Pension pleqërie i reduktuar
Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92, kur:
a) kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92;
b) nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.
Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj.
Detajet e ligjit, pensioni suplementar dhe të ardhurat për barrëlindje
Sigurimi shoqëror suplementar mbron me të ardhura:
a) Personat që ushtrojnë funksione ose detyra të veçanta kushtetuese dhe personat me tituj shkencorë;
b) Punonjësit e shtetit, ushtarakët që shërbejnë në strukturat e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, punonjësit e Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme.
E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve.
E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është:
a) 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes;
b) 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim.
Shuma e të ardhurave
Të ardhurat për sëmundje janë 70 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës, kur i siguruari ka deri në 10 vjet sigurim dhe 80 për qind kur i siguruari ka mbi 10 vjet sigurim. Për periudhën që përfituesi është shtruar në spital, kur nuk ka njeri në ngarkim, të ardhurat për sëmundje janë 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës.”.
Nga se përbëhet sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore?
a) sigurimet shoqërore të detyrueshme;
b) sigurimi shoqëror vullnetar;
c) sigurimi shoqëror suplementar;
ç) pensionet shtetërore të posaçme;
d) pensionet sociale;
dh) fondet profesionale dhe fondet e pensionit vullnetar./Dita